Secondary Adv

Pas rritjes rekord, bie ndjeshëm çmimi i arit, ja faktorët që po ndikojnë

Pavarësisht tensioneve gjeopolitike, çmimi i arit po bie për shkak të inflacionit, normave të larta të interesit dhe forcimit të dollarit.

Ari, i konsideruar tradicionalisht si një nga asetet më të sigurta në periudha krizash dhe pasigurie globale, po ndjek një trajektore të pazakontë. Megjithëse konfliktet në Lindjen e Mesme dhe tensionet mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit kanë rritur pasigurinë në tregjet ndërkombëtare, çmimi i arit ka shënuar rënie të ndjeshme pas niveleve rekord të regjistruara në fillim të vitit.

 

Nga kulmi prej rreth 5,303 dollarësh për ons i arritur në fund të janarit, ari ka zbritur së fundmi në rreth 4,235 dollarë për ons. Ky zhvillim ka surprizuar tregjet, pasi në kushte normale tensionet gjeopolitike do të nxisnin kërkesën për metalin e çmuar dhe do të mbështesnin rritjen e çmimit të tij.

 

Inflacioni po ndryshon sjelljen e tregjeve

Sipas analistëve, arsyeja kryesore e rënies nuk lidhet me mungesën e pasigurisë, por me mënyrën se si po reagojnë ekonomitë e mëdha ndaj krizës. Konflikti në Ngushticën e Hormuzit ka nxitur rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, duke ushqyer presione të reja inflacioniste në ekonominë globale.

 

Në Shtetet e Bashkuara inflacioni ka arritur në 4.2 për qind, niveli më i lartë i tre viteve të fundit. Në teori, inflacioni i lartë zakonisht rrit interesin për arin si instrument mbrojtës ndaj humbjes së vlerës së parasë. Megjithatë, këtë herë investitorët po fokusohen më shumë te reagimi i politikës monetare.

 

Normat e larta të interesit po dëmtojnë arin

Një nga faktorët më të rëndësishëm që po ushtron presion mbi arin është qëndrimi i Bankës Qendrore Amerikane. Federal Reserve nuk ka dhënë sinjale për ulje të afërta të normave të interesit dhe tregjet madje po vlerësojnë mundësinë e mbajtjes së tyre në nivele të larta ose rritjes së mëtejshme për të frenuar inflacionin.

 

Kjo situatë e bën arin më pak tërheqës për investitorët. Ndryshe nga obligacionet, depozitat apo instrumentet e tjera financiare, ari nuk gjeneron të ardhura nga interesat. Kur normat e interesit rriten, investitorët priren të zhvendosin kapitalin drejt aktiveve që ofrojnë kthime të garantuara, duke ulur kërkesën për arin.

 

Forcimi i dollarit ul kërkesën globale

Një tjetër faktor që po ndikon negativisht është forcimi i dollarit amerikan. Meqenëse ari tregtohet në dollarë, një monedhë më e fortë e bën blerjen e tij më të kushtueshme për investitorët dhe bankat qendrore që operojnë me valuta të tjera.

 

Si pasojë, kërkesa ndërkombëtare për arin dobësohet, duke ushtruar presion shtesë mbi çmimin e tij. Analistët vlerësojnë se kombinimi i normave të larta të interesit dhe dollarit të fortë po neutralizon efektin që zakonisht kanë konfliktet gjeopolitike në rritjen e vlerës së metalit të çmuar.

 

Çfarë pritet në muajt e ardhshëm

Ekspertët theksojnë se çdo përmirësim i situatës në Lindjen e Mesme, përfshirë një marrëveshje paqeje apo ulje të tensioneve mes palëve, mund të ndikojë në ndryshimin e pritshmërive të tregut. Megjithatë, ata vlerësojnë se faktorët ekonomikë do të vazhdojnë të jenë vendimtarë për ecurinë e çmimit të arit.

 

Për momentin, inflacioni i lartë, pritshmëritë për norma interesi të larta dhe forcimi i dollarit amerikan mbeten elementët kryesorë që po mbajnë arin nën presion, pavarësisht statusit të tij tradicional si “strehë e sigurt” në kohë pasigurie.

Burimi: Euronews.al


Më të lexuarat